Gjatë javës përpara vendi ynë do të ndikohet kryesisht nga kushte të qëndrueshme atmosferike. Kjo situatë, sipas SHMU, vjen si pasojë e qarkullimit anticiklonar të masave ajrore me origjinë jugore, situatë kjo e rrallë për periudhën që ndodhemi
Megjithatë duke filluar nga orët e vona të ditës së Enjte dhe ditën e Premte pritet përsëri kalimi i disa masave ajrore të ftohta dhe të lagështa duke rikthyer motin e vranët dhe reshjet e shiut.
Nga sa u përmend dhe më lartë, nga dita e Hënë dhe deri orët e pasdites apo orët e vona të mbrëmjes të ditës së Enjte moti parashikohet i kthjellët e vranësira të pakta kalimtare. Gjithashtu edhe rritje graduale e temperaturave kryesisht në orët e mesditës.
Në orët e vona të mbrëmjes të ditës së Enjte dhe për ditën e Premte moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura dhe intervale afatshkurtra me diell. Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar ndërsa ditën e Premte përgjatë ultësirës perëndimore dhe verilindje reshjet lokalisht me intensitet deri dhe të lartë. Në zonën e Alpeve dhe verilindje për ditën e Premte në lartësitë mbi 1000-1200 metër reshje dëbore.