Qeveria premtoi se do të ketë një bonus të dytë në pranverën e vitit të ardhshëm.

Kryeministri Rama tha se “bonusi i pranverës” do të jetë i përhershëm njësoj si bonusi i fundvitit, por ai do të jetë i lidhur me zhvillimin ekonomik.

Olta Manjani, zyrtarja që kryeson grupin e punës, gjatë një interviste për “Vizion Plus” dha disa shpjegime se si do të funksionojë ky bonus.

“Ky bonus nuk ka lidhje me zgjedhjet, por ka lidhje me performancën ekonomike. Ne do të hapim një llogari në bankën e Shqipërisë, e cila do të funksionojë vetëm për këtë bonus. Çdo rritje shtesë e të ardhurave që do të gjenerojmë përtej parashikimeve do të kalojnë në këtë fond special dhe më pas do të shpërndahet për pensionistët”, tha ajo.

Pyetje: Sa do të jetë shuma e ketij bonusi që do të jepet në pranverë?

“Është ende herët për të përcaktuar masën e tij. Do të shohim ecurinë ekonomike. Qëllimi i bonuseve është që të mbështesim pikërisht atë shtresë të pensionistëve, që marrin pensione të ulëta poshtë nivelit mesatar”, tha Manjani.