Lajme -

Vdekja e 18-vjeçarit dhe nënës së re, Dasho zbulon faktorët: Në Shqipëri mosha e viktimave shumë e re, nuk shpëton asnjë prej të intubuarve

Në një lidhje skype me Fax News, mjeku Erion Dasho tha se Shqipëria ka një numër të madh vdekjes Covid në mosha të reja, në ndryshim nga shumë shtete europiane.

Duke iu referuar vdekjeve të fundit, të një 18-vjeçari dhe të një nëne të re, të cilës iu krye ndërhyrje për të sjellë në jetë fëmijën e saj në muajin e shtatë të shtatzënisë, dhe vetë humbi jetën prej Covid, Dasho tha se rastet tregojnë ose mungesë kujdesi, ose një diagnostikim shumë të vonë.

Sipas Dashos, që prej fillimit Shqipëria ka gabuar duke lënë jashtë skemës së trajtimit mjekët e familjes dhe spitalet rajonale, dhe kjo bëri që spitalet Covid të mbingarkoheshin dhe të punonin me kapacitete të shtuara.

Një tjetër e dhënë që për Dashon është shqetësuese, është dhe ajo që personat që futen në intubim nuk shpëtojnë, ndërsa ka viktima që humbin jetën, pa u futur në repartet e terapisë intesive.

“Ky është një fenomen jo i ri për Shqipërinë, janë raste vërtet tragjike që një nënë e re dhe një fëmijë të humbasin jetën në moshë të re. Por ky nuk është një fenomen i izoluar në Shqipëri, pasi moshat nën 70 vjeç në Shqipëri që kanë humbur jetën nga Covid është pothuajse për 50%.

Kjo në fakt vlet për një mungesë kujdesi, një diagnozë të vonë, ose një mosfillim të hershëm të trajtimit, që në fakt kanë një rëndësi shumë të madhe në trajtimin e Covid.

Fatkeqësisht këtu nuk jemi duke folur për mutacionet, por ka qenë një tendencë që prej fillimit. OBSH e ka thënë qartë se duhet të bëhët zbulimi dhe testimi i rasteve, duke respektuar edhe sistemin e referimit, nga mjeku i familjes, te spitalet rajonale dhe më pas te institucionet terciare.

Nuk kishte kuptim që mjeku i familjes të mos përfshihej në dhënien e kujdesit për pacientët me Covid, nuk kishte më kuptim që të sëmuët të drejtoheshin vetëm drejt Tiranës dhe të mos shfrytëzoheshin kapacitetet e spitaleve rajonale.

Në Shqipëri ka dhe të dhëna të tjera shqetësuese, siç është përshembull numri 100% pothuajse i vdekjeve në radhët e personave që kalojnë në intubim, ka persona që humbasin jetën pa kaluar më parë në repartin e terapisë intesive. Flasim për një kujdes me cilësi të ulët dhe fatkeqësisht manifestohet dhe në raste të tilla fatkeqe”, tha Dasho.

Burimi:Fax Web

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *