Historikisht e njohur që nga kohërat e lashta si një ilaç natyral, uthulla e mollës së egër vazhdon të mbetet një përbërës i rëndësishëm në fushën e shëndetit dhe mirëqenies.

E pasur me enzima e antioksidantë, minerale si kalcium, kalium, magnez, potas, fluor, fosfor, vitamina A, B1-B2-B6, C dhe E, acid cetik, pektinë, beta-karoten etj, ky produkt është padiskutim një depo vlerash ushqyese, ndihmon në luftimin e baktereve dhe promovon një jetë të shëndetshme.

Uthulla e mollës është një nga produktet më të popullarizuara, njerëzit e kanë përdorur atë për shekuj me radhë në gatim dhe mjekësi, por edhe pastrim gjithashtu. Benefitet e saj janë të shumta edhe për sa i përket lëkurës dhe rutinës së bukurisë.

Pikërisht për vlerat e benefitet e këtij ‘ilaçi’ popullor, flasim në rubrikën ‘Bima dhe Shëndeti’ në Rreze Dielli, me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja, si duhet ta përdorim uthullën e mollës së egër kombinuar dhe me produkte të tjera në parandalimin dhe trajtimin e një sërë problematikash shëndetësore.

“Në uthullën e mollës së egër gjendet pektina, fibër e tretshme e cila rregullon kolesterolin dhe tretjen. Gjendet acid malik, citrik, folik dhe gallotanik, gjithashtu serbitoli, një polialkal me veti laksative, vitamina, minerale, vajra esenciale me aktivitet antiviral dhe antibakterial, glokozë dhe karbohidrate” thekson Merja në fillim të bisedës.

Për shkak të gjithë këtyre elementeve kimikë, vetitë e uthullës së mollës së egër në shëndet janë të shumta.

“Prezenca e sorbitolit, kaliumit dhe magnezit bën që uthulla e mollës së egër të nxisë tretjen dhe jashtëqitjen. Përdorimi i saj tonifikon muskujt dhe nervat, ul kolesterolin, stimulon mëlçinë, stabilizon sheqerin në gjak, ul tensionin e lartë, zvogëlon variçet, ul temperaturën e lartë, qetëson kollën, pastron sekrecionet” thotë specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, duke vijuar në përdorimin e uthullës së mollës kundër marramendjes, kundër mykut në këmbë, kundër acarimeve të fytit, diarresë si dhe në luftimin e lythave dhe pastrimin e lëkurës.

Uthulla e mollës së egër prej shekujsh ka gjetur përdorim në mjekësinë popullore, ajo kombinuar me produkte të tjera mund të përdoret vërtetë si një ilaç natyral. Specialisti Merja tregon dozat dhe mënyrat e duhura si ta përdorim uthullën e mollës, por dhe uthullën e hudhrës në trajtimin e disa problematika shëndetësore:

– Për temperaturën e lartë të trupit, fëmijë ose i rritur: Holloni uthullën në raportin 1 me 1 (50 ml uthull, 50 ml ujë) dhe 1 lugë çaji kripë. Lagim një napë dhe lyejmë trupin më të. Bëhet 2-3 herë në ditë
– Për astmën, kollën, vështirësi të nxjerrjes së sekrecioneve: Në 200 ml ujë shtoni 1 lugë gjelle uthull molle, 1 lugë çaji mjaltë, 1 lugë kafe piper miks ose të zi. Pihen 2 gota në ditë para buke
– Kundër lodhjes kronike: Përzieni 1 lugë gjelle uthull molle me 1 filxhan kafe mjaltë. Hani 2 x 1 lugë çaji në ditë para buke
– Kundër dhimbjeve të kyçeve: Përzieni 50 ml uthull me 1 lugë kafe mjaltë. Lyeni kyçet që dhembin 2-3 herë në ditë
– Kundër variçeve: Lëngu i turshive të lakrës është shumë efikas ose përzieni 50 ml uthull me 150 ml ujë, 1 lugë çaji kripë. Lyeni këmbët 2-3 herë në ditë
– Për ulje kolesteroli, tensioni të lartë dhe ulje diabeti: Në mëngjes pini 200 ml ujë me 1 lugë gjelle uthull molle. Hidhni në gjellë në drekë 1 lugë kafe uthull hudhre
– Kundër zbokthit, shkëlqim floku: Shpëlani flokët pas larjes me ½ gotë ujë me 1 lugë supe uthull
– Kundër verukave në qafë, lythave, njollave kafe: Hedhim në një vazo 150 ml uthull hudhre, 7-8 fije trumëz, një dorë tambëlgjaku. Lyeni verukat ose lythat 2 herë në ditë
– Për parazitët në kokë: Përzieni 1 lugë gjelle uthull hudhre, 1 lugë gjelle ujë. Lagni flokun, mbështilleni me shami për 2-3 orë, më pas shpëlajeni
– Kundër lemzës: Në 200 ml ujë zieni për dy minuta 2 lugë gjelle mendër, kulloni çajin dhe shtoni 1 lugë çaji uthull molle dhe 2 lugë çaji sheqer
– Për djegien nga dielli: Përzieni 2 lugë gjelle uthull, 2 lugë ujë, 1 lugë çaji mjaltë. Lyeni trupin 3-4 herë çdo 10 minuta
– Për zbardhje dhëmbësh dhe për infeksionin e bajameve: Përzieni 50 ml uthull me 50 ml ujë. Shpëlani gojën 2 herë në ditë pas buke
– Për rënien në peshë: Në një gotë çaji slim tea shtoni 10 ml uthull. Pini 2 gota në ditë
– Për largimin e mykut nga lëkura: Lani thonjtë, duart, këmbët 2 herë në ditë me ujë me uthull. Pasi thahen vendosni krem myku.
– Te gratë shtatzëna për lehtësim tretje: Në mëngjes të konsumojnë 1 lugë uthull molle, pasdite të pijnë një lëng molle
Uthulla e mollës përveç benefiteve shëndetësore gjen përdorim dhe në pastrim, sidomos tek frutat dhe perimet, pasi ndihmon në largimin e toksinave.