Sport -

“Truri i Kombëtares”/ Risia mund të jetë lojtari që shtangu Napolin, zgjedhje të larmishme

Ndeshjet e Kombëtares së Shqipërisë janë duke afruar, teksa në fundin e muajit mars do të zhvillojmë tre takime për kualifikueset e Botërorit. Përgjatë gjithë kësaj kohe kemi pasur garanci sa i përket portës dhe mbrojtjes.

Sulmi është një temë që do të ishte harxhim i kohës për t’u përmendur pasi gjatë këtyre javëve në kampionatet respektive janë në formë fantastike të gjithë lojtarët shqiptarë.

Rei Manaj që ka shpërthyer si kurrë më parë me golat te Barcelona B, për të vazhduar me Sokol Cikalleshin që ka marrë të gjitha komplimentet e trajnerit të Koniasporit, e për ta përfunduar me Armando Brojën, që sipas trajnerit të Viteshes, është më i miri në “Eredivisie”.

Sigurisht që lista e sulmuesëve vazhdon me zgjedhje të tjera që kanë mundësinë për të mbajtur mbi shpatulla fanellën e Kombëtares, ku mes tyre si risi për herë të parë në fushën e lojës mund të jetë edhe Florian Kamberi.

Një tjetër lojtar ky që po komentohet pozitivisht në Skoci, megjithëse për përfshirjen në listë nuk do të ishte risi. Problemet burokratike dhe më pas situata me COVID bëri që ish-futbollisti i Zvicrës të mos debutonte me fanellën e Shqipërisë.

Por ajo që Kombëtarja jonë ka vuajtur më së shumti është mesfusha, “truri organizator”. Pavarësisht emrave të shtuar dhe talenteve të shumtë që kemi në organikë, në zhvillimin e lojës kërkohet ende me patjetër aktivizimi i Ledian Memushajt, garda e vjetër, që nga futbollisti që shihet me etapën e mbyllur, vjen për të bërë diferencën.

Këtë herë si risi te Shqipëria pritet të jetë Nedim Bajrami. Reja po bën gjithçka që të bind lojtarin e Empolit për të lënë Zvicrën duke e joshur me fanellën e Kombëtares A të Shqipërisë. Mesfushori i ri po shkëlqen me Empolin dhe shquhet për nuhatjen që ka me portën, teksa në këtë sezon arriti që t’i shënonte Napolit dy gola me gjuajtje “vrastare” nga distanca.

Duke futur këtu “pitbullin” Amir Abrashi dhe të ngjashmin e tij Keidi Bare, forcën dhe klasin e Klaus Gjasulës, muskujt dhe energjinë e Enis Cokajt, fantazinë që ka Sherif Kallaku, krosimet e saktë të Endri Çekiçit dhe frymën e re që mund të japi Lindon Selahi ose edhe Eduart Rroca që ka bërë sezon të mirë me Instabulsporin, mund të thuhet pa frikë se Reja ka një larmishmëri zgjedhjesh si kurrë më parë te Kombëtarja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *