Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar në GJKKO për Leonard Dukën, i akuzuar për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko, situata u tensionua dukshëm.

Nëna e viktimës ishte e pranishme në sallë dhe sapo pa të arrestuarin iu drejtua me fjalë të ashpra, duke e quajtur “maskara” dhe e akuzoi për vrasjen e djalit të saj 25-vjeçar. Ajo i kërkoi trupit gjykues që ta dënonte me vdekje Dukën.

Pas këtyre fjalëve, nëna e Santiago Malkos shpërtheu në lot dhe u detyrua të largohej nga salla e gjyqit për shkak të gjendjes së rënduar emocionale.

Nga ana tjetër, Leonard Duka hodhi akuza ndaj prokurorit të çështjes, Behar Dibra, duke pretenduar padrejtësi në procesin kundër tij.

Nëna e Malkos i drejtohet Leonard Dukës:O maskara, ma vrave djalin 25 vjeç, si del aty?

Leonard Duka në GJKKO: Deklarimet e mia do i jap pasi të njihem me aktet, dua më shumë kohë

Prokurori Behar Dibra: E konsideroj si kërkesë të padrejtë. Ne rame dakord seancën e kaluar që ai te fliste sot.

Mamaja e Santiago Malkos: Nuk ka çfarë lexon fare. Dënim me vdekje.

Gjyqtarja Rudina Palloi: Kërcënimet janë të ndaluara në sallë të gjyqit.

Gjykata: Meqenëse i pandehuri shfaqu pëlqim për t’u pyetur por kërkoi kohë, vlerëson se nuk mund ta detyrojë atë të pyetet. është çështje vullneti. Në këto kushte do i jepet kohë.

Leonard Duka: Prokurori është i njënashëm, më akuzon si organizator të vrasjes së Santiago Malkos. Dhe kam venë re qe do te më dënojë…Prokurori mos të korruptohet nga kriminelet e vendit por të beje detyrën. Prokurori po kerkon të me dënojë pa fakt pa asgjë.