Piranjat kanë trajtuar këtë rradhë historinë e një vajze 22-vjeçare nënë e një djali 3 vjeç e cila prej disa javësh shantazhohej nga një 28 vjeçar i quajtur Soni.

Njohja e tyre ka qënë krejt rastësisht, në ambientet e punës ku Soni punonte. Pas disa shikimeve, vajza vendos kontakt me 28 vjeçarin në rrjetet sociale, duke bërë që lidhja të avancojë. Biseda, mesazhe, foto e video të shkëmbyera midis tyre. Por pas disa ditësh vajza vendos të ndërpresë raportin e tyre. Një foto selfie dhe një foto e kapur në dush do të ishte kurthi i Sonit për të shantazhuar të renë. Kërcënimet për vajzën shtoheshin dita ditës, ku 28 vjeçari kërkonte raport intim ose fotot e videot e vajzës do të shkonin tek bashkëshorti dhe vjehrri i saj.

Teksa presioni për të takuar vajzën bëhet i madh, Piranjat vendosin t’i realizojnë kërkesën Sonit, duke e dërguar 22 vjeçaren në takim në shtëpinë e tij. Me frikën se e reja do binte në grackën e këtij të fundit, Piranja Luela Gaxhja vendos të ndërhyjë duke zënë në befasi të riun i cili vendos të mbrohet duke ikur me vrap.

Por si do t’i shpëtonte Piranjave, kur ato vrapin e kanë armën e tyre më të fortë?

E ndërsa jemi duke vrapuar pas tij, i riu duket se reflekton dhe më në fund vendos të flasë me ne duke na shpjeguar historinë e tyre.

Pas vetëm 10 ditësh komunikimi, 28 vjeçari është i bindur se ka të drejta të plota mbi gruan e re.

I zënë në besë nga ish-mikja e tij, ai nis të tregojë historinë e tyre duke shtuar dozën e agresivitetit për njeriun më të urryer.

Përtej diskutimit se kush është fajtori në këtë trekëndesh dashurie, ajo që kërkojmë nga Soni është fshirja e fotove nudo me të cilat ka shantazhuar vajzën, por këtu hasim në një pengesë të papritur, pasi telefoni i tij ndodhej në shtëpi, në pamundësi për të hapur derën.

Pas rreth një ore mes kërkesës për të fshirë fotot dhe refuzimeve të 28 vjeçarit, i cili përpiqej të na sillte rrotull, u desh të kërkonim ndihmën e policisë, e cila nisi menjëherë procedurat ndaj tij.