Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Novi Sad te Serbisë, ku një tendë e stacionit hekurudhor të qytetit është shembur, duke zënë poshtë dhjetëra njerëz.

Siç raportohet deri më tani janë nxjerrë 13 trupa të pajetë nga rrënojat, e mbi 30 persona janë të lënduar. Gjithashtu mes viktimave, është dhe një fëmijë 6-vjeçar.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç duke folur për mediat u shpreh se bilanci i viktimave është 13 persona dhe se operacioni i shpëtimit për personat e tjerë të mbetur nën rrënoja do të vijojë.

Daçiç tha se trupi i 13-të është nxjerrë nga aksidenti i ndodhur në Novi Sad dhe shtoi se nuk presin që të gjenden viktima të tjera.

Sipas tij, ata nuk kanë dhënë shenja jete, ndërsa ashpërsia e plagëve të marra nuk ka lejuar askënd që të ndihmohet. Ai shtoi se tre persona janë shpëtuar dhe janë në spital. Ndër të tjera u shpëtuan edhe dy femra që ndodheshin nën rrënoja dhe me të cilat kishte kontakte.