Makina të bllokuara në ujë, zjarrfikës me veshje zhytjeje dhe rreth 900 njerëz të zhvendosur ishte panorama e motit dashakeq në gjashtë krahina lindore të Francës, ku ka rënë sasia e padëgjuar prej 650 milimetra shi, shkruan rrjeti vendas AFP.
Rajonet Ardèche, Rhône, Haute-Loire e Loire, ishin të përmbytura sipas rrjetit Météo-France, dhe të tjera raportoheshin të rrezikuara.
Dy njerëz ishin shpëtuar në gjendje hipotermie nga i ftohti, por nuk u raportua për vdekje apo plagosje të rënda.
“Binte vetëm shi, kur papritur dëgjova një ulërimë jashtë dhe pashë një vërshim që vinte”, tha Philippe Maisonnette, prezantues radioje në Annonay.
Në qytezën e Ardèche, e cila përshkohet nga dy lumenj, uji u ngrit papritur duke përmbytur digën Ternay.
Në Ardèche, zjarrfikësit thanë se kishin bërë më shumë se 230 ndërhyrje, duke përfshirë dhe me ndihmën e helikopterëve për të shpëtuar shoferë të bllokuar.
Ministrja Agnès Pannier-Runacher fliste për situatën e paprecedentë të 600 milimetrave shi të rëna në Ardèche, për të cilat ajo fajësonte ‘ndryshimet klimatike’.
Qindra shtëpi ishin pa energji elektrike sot pasdite në zonat e Rhône, Ain, Loire e Ardèche, tha kompania furnizuese Enedis duke shtuar se grupet në terren janë mobilizuar.