Reforma zgjedhore, Ilirjan Celibashi: Për qeverisje të qëndrueshme, Shqipërisë i duhet sistemi mazhoritar

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në studion e Ilva Now në Euronews Albania foli lidhur me marrëveshjen e arritur sot mes opozitës dhe mazhorancës sa i përket reformës zgjedhore si dhe rreth llojit të sistemit që do t’i shkonte për shtat vendit tonë.

Sistemi zgjedhor që i përshtatet më së miri Shqipërisë sipas ish-kreut të KQZ është mazhoritari i pastër, pasi ky sistem sipas tij siguron një qeverisje të qëndrueshme.

“Mazhoritar i pastër, për kushtet e Shqipërisë do t’i shkonte shumë, si në zgjedhjet e viteve 2001 2005. Ishte një sistem që plotësonte shumë kërkesa të atyre që kërkojnë ndryshimin e sistemit sot. Kemi nevojë për një qeverisje të qëndrueshme dhe stabile. Nuk besoj në qeveritë e koalicioneve, që janë më së shumti strehë pazaresh politike dhe korrupsioni. Është më e qartë përgjegjësia e qeverisë. Parlamenti i 2001 e 2005 nuk kanë të krahasuar me sot”, – tha z. Celibashi.

Celibashi shprehu bindjen se marrëveshja e sotme për reformën zgjedhore ishte një proces i mbyllur në nivelet më të larta të politikës, duke mos përjashtuar dy liderët e partive të mëdha, kreun e PD, Lulzim Basha dhe atë të PS, Edi Rama.

Sipas z. Celibashi, kjo dakordësi është në njëfarë mënyrë një rikthim i PD në skenë aktive të politikës, por edhe një formë ndërgjegjësimi i lidershpit kryesor në vend për atë se ç’do ta presë Shqipërinë në muajt e ardhshëm lidhur me integrimin evropian.

“Me atë që u konfirmua sot, ky është një rikthim i PD dhe kjo nuk është aspak surprizë. PS ka dashur që PD të jetë pjesë e këtij procesi. Edhe faktori ndërkombëtar, PD është në fund të fundit opozita reale. Pa ata reforma nuk do të ishte e gjithëpranuar”, – tha z. Celibashi.

Lidhur me ndryshimet nga të cilat duhet të nisë reforma zgjedhore, z. Celibashi tha se ekziston nevoja për ndryshime duke nisur që nga administrimi. Ish-kreu i KQZ hedh idenë që të depolitizohet kupola drejtuese e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por jo komisionet e niveleve të dyta dhe të treta.

Vota e emigrantëve për z.Celibashi duhet të jetë domosdoshmërish një nga objektivat e reformës zgjedhore.

“Është e turpshme që edhe pas kaq vitesh që bëjmë këtë diskutim, nuk e kemi bërë të mundur votën e emigrantëve”, – tha ai./Burimi: Euronews.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *