Lajme -

Politikani shqiptar rrëfen tmèrrin nga Còvidi pas 2 muajsh në intubim në Gjermani: Nuk është vírus, por…

Kryetari i Partisë Republikanët e Kosovës, Faton Kurti ka arritur ti mbijetojë Covidit pas 2 muajsh në intubim. Me anë të një shkrimi në Facebook, bën me dije se ende nuk e ka mundur plotësisht sëmundjen pasi ndodhet në repart intensiv dhe po kurohet në Gjermani.

Sipas Kurtit, nuk është thjesht një virus por bombë vdekjeprurëse. Ndonëse ka qenë gjithmonë i shëndetshëm dhe nuk ka konsumuar alkool, Kurti nuk arriti të shmangte infektimin. Në statusin e tij, thotë se mendja i ka mbetur tek Kosova ku ka mungesë ekstreme dhe shërbimet nuk janë si në Gjermani.

Faton Kurti: Unë jam një i mbijetuar nga Covid-19.

Po, mund ta them pa drojë, unë i mbijetova Covid-it në formën e tij më të tmerrshme.

Tani që po ju shkruaj, nuk ka shumë kohë që jam zgjuar nga koma artificiale (ose koma farmakologjike) pas 2 muajsh në intubim dhe mjekim intensiv në shërbimin shëndetsor në Gjermani. Tashmë jam transferuar nga reparti intensiv në klinikë rehabilituese.

Tuneli i errët nëpër të cilin kam kaluar më bën të vlerësoj si të çmuar e të shenjtë, çdo çast jete e drite.

Ndjeva detyrimin moral e shpirtëror të njoftoj gjithë miqtë, të afërmit, bashkëpunëtorët, anëtarët e partisë Republikanët e Kosovës, studentët e mi në AAB se nuk i kam braktisur, por sulmi i tmerrshëm dhe masiv i organizmit tim nga ky virus më ka mbajtur larg jush.

Ndjehem me fat që jam gjallë e falenderues ndaj Zotit, ndaj lutjeve të familjes time, vëllait dhe motrave, gruas dhe dy djemve të mi, familjarëve të afërt, miqve të mi që për asnjë çast nuk e humbën besimin në kthimin tim gjallë nga ky kalvar i tmerrshëm.

Nuk dua të shpjegoj më gjatë në këtë postim, se çfarë i bën ky virus një trupi të shëndetshëm por shkurt mund të them që ky nuk është një virus i natyrës por një armë vdekjeprurëse biologjike.

Fakti që dikë e godet më lehtë e dikujt tjetër ia “bombardon” mushkëritë dhe organet e tjera e bën akoma më tinzar dhe të rrezikshëm.

Unë jam ndër njerëzit që më së shumti jam kujdesur me gjithë protokollin mbrojtës të njohur tashmë, megjithatë diku duhet të kem ulur vëmendjen dhe ja që ky virus tentoi të më rrëzonte përfund dhe mua, por falë shëndetit tim të plotë paraprak nuk ia arriti të më mundë plotësisht. Nuk kam vuajtur kurrë nga asnjë sëmundje, nuk kam abuzuar asnjëherë me duhan apo alkool, jam ushqyer dhe kam patur një stil jetese të shëndetshëm dhe jam karakter që nuk dorëzohem kurrë, këto dhe dashuria ishin armët e vetme që pata në përleshjen dhëmb për dhëmb me virusin Corona.

Dëshiroj që dëshmia ime të mund të ndihmojë dhe sensibilizojë jo vetëm ata që po vuajnë por sidomos ata që mohojnë apo nënvlerësojnë rrezikshmërinë e këtij virusi.

Nuk është koha për teori konspirative por për kujdes të shtuar dhe ekstrem dhe sa më shumë të mundeni evitoni kontaktet, ruani distancën dhe mbani maskat, një neglizhencë e vogël mund të jetë fatale për ju, miqtë apo të afërmit tuaj e mos besoni legjendat urbane se ky virus nuk dëmton të rinjtë.

Unë jam me fat që po kurohem në Gjermani, shtetit të cilit i dedikoj shkollimin dhe kontributin e një jete profesionale e personale në disa dekada. Tashmë duhet të rendis edhe mirënjohjen për mjekët gjermanë të cilët më shpëtuan jetën.

Kur një shtet me kapacitete financiare dhe shëndetsore të jashtëzakonshme si Gjermania po goditet rëndë nga ky virus, mendja më rri në Kosovën time të dashur që ka mungesa ekstreme.

Lutem për të gjithë ju që të qëndroni të shëndetshëm e gjallë, mos lejoni që rrethi juaj familjar e miqësor papritur tju zvogëloget nga uria mizore e këtij virusi për jetë njerëzish.

Unë sot i gëzohem dhe mbroj jetën.

Be safe, be alive!

Burimi:Fax Web

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *