Policia e Kosovës është fuqizuar me automjete policore shtesë. Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi në Facebook, ku janë publikuar edhe video.
“Policia e Kosovës (PK), në kuadër të planifikimeve afatgjate dhe objektivave të parapara strategjike, për ngritje të kapaciteteve të vazhdueshme të burimeve njerëzore dhe atyre logjistike e teknologjike, parasheh që përmes realizimit të trajnimeve policore, furnizimit me pajisje logjistike e teknologjike për njësi të ndryshme policore, të mundësohet kryerja e detyrave dhe autorizimeve policore në mënyrë sa më efikase dhe efektive në interes të qytetarëve dhe vendit”, ka njoftuar PK.
Policia e Kosovës thotë se që nga themelimi i saj e deri më sot konform zhvillimeve dhe nevojave policore, ka planifikuar edhe furnizimin me pajisje policore, përfshirë furnizimin me automjete, të cilat shërbejnë si mjete bazë për përmbushjen misionit të PK-së.
Përveç furnizimit me automjete të rregullta patrulluese, Policia e Kosovës konform procedurave të parapara ligjore tani është furnizuar edhe me disa automjete policore të blinduara dhe disa autoblinda, të cilat shërbejnë për nevojat e Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës, do të vazhdojë planifikimet e saj për ngritje të kapaciteteve të burimeve njerëzore, logjistike e të teknologjisë, me qëllim që në mënyrë sa më profesionale të përmbushë me sukses misionin dhe vizionin e sajë në ofrimin e sigurisë dhe ruajtjes së rendit kushtetues”, theksohet në njoftim.