Teksa pritej hapi i radhës në kuadër të “mosbindjes civile”, opozitarët kanë vendosur që ta zhvendosin protestën në Strasburg, para Parlamentit Europian.
Përsa i përket datës, është vendosur që protesta të mbahet më 23 Tetor. Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli raporton se do të jenë mbi 40 deputetë të PD që do protestojnë.
Sipas të njëjtave burime, opozitarët do të kërkojnë sensibilizim dhe mbështetje për kauzat e opozitës. Protesta do të mbahet gjatë zhvillimit të seancës plenare në Parlamentin Europian në Starsburg.
Kjo vjen pas protestës së opozitës më 7 Tetor në kryeqytetin e vendit, që u shoqërua me tensione dhe veprime të dhunshme nga ana e protestuesve.
Që pas vendimit të Gjykatës së Apelit për lënien në fuqi të atij të Shkallës së Parë për dënimin me 1 vit burg të ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji për çështjen “Babale”, opozita ka paralajmëruar mosbindje civile dhe bojkot të jetës parlamentare.