Bukurie Malko, nëna e Santiago Malkos, ka rrëfyer për RTSH kërcënimet që i bëhen nga autori i vrasjes së djalit të saj. Ndërsa rrëfeu përballjen me Leonard Dukën në gjykatë në seancën e djeshme, Bukurie Malko, shprehet se autori i vrasjes së djalit të saj i bënte presion me kokë për t’i thënë të mos fliste më.

“Tundte kokën krimineli, nuk shihte as ulur që do të thotë mbyll gojën. Nuk dal dot në rrugë duke na kërcënuar dhe duke na thënë mbyll gojën“. Më kanë çuar mesazhe: “Të ka marrë malli për djalin tënd? Do shkosh ta takosh”!

Kam shkuar dhe në polici, policia do lekë, mbahen pas mafiozëve , pas lekut të madh. Kam bërë 2 herë kallëzim, se ka marrë njeri për bazë. Do marr flimimet dhe do ua jap se si e tundte kokën. Krimineli më vrau djalin.

”Prokurori tha është i njëanshëm, mban nga ata dhe do të më dënojë mua dhe stafin tim”. Po ai është kriminel, ku e ka stafin ai? Ça është ai zyrtar dhe ka staf? Hajde më mua shiko, i lash të gjitha me punë, e mbylla licencën se më kërcënojnë”, tha ajo.

Bukurie Malko, ka hedhur akuza duke thënë se ndonëse ka bërë dy herë denoncime për kërcënimet që i bëhen, policia nuk ka marrë asnjë masë.

“Kanë hedhur lekë, deri tre policët dhe dera e gjykatës. Kanë hedhur lekë të madh. Me forcë të madhe, me forcë nëpër dhëmbë po rri, më vrasin sot më vrasin nesër. Më vrau krimineli djalin, dritën e syrit, të vetëm, me dy fakultete shkollë. Krimineli më shikonte në dritë të syrit, pa pikën e mëshirës dhe pikën e ndërgjegjes. Tani do t’i shpëtojë burgut. Ai ka përgjimet që ka folur me Ervis Martinajn. Në çdo sekondë kam kërcënime. Nuk ka më as rend, as jetë. Këtu sundon mafia. SPAK nuk kam shkuar. SPAK i kam çuar emrat e policëve që kanë marrë lekë. Të gjithë emrat e policëve i kanë nxjerrë”, u shpreh ajo.

Kreu i klanit Duka, akuzohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në 27 gusht të 2019. Për vrasjen e Santiago Malkos, me vendim të formës së prerë, Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi me 25 vjet burg Blendi Tetën, 28 vjet për Ilir Selmanin dhe prishje të dënimit 7 vjet burg të shkallës së parë për Elvis Gacaj dhe dërgimin e çështjes në ngarkim të tij në Gjykatën e Tiranës.
Nga ana tjetër, Duka akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasit Ervis Martinaj dhe anëtarëve të tjerë të grupit të tij.