Vrasësit e muratorit shqiptar Rezart Arshiaj, i njohur edhe si Beni, janë kapur nga kamerat e sigurisë gjatë arratisjes së tyre, menjëherë pas krimit të ndodhur në Oratoio, fshat 7 km larg Pizës.

37-vjeçari me origjinë nga Vlora u ekzekutua në oborrin e banesës së tij sapo parkoi furgonin, ndërsa autorët i kishin bërë pritë.

Sipas mediave italiane, Beni Arshiaj është qëlluar për vdekje nga vrasës më pagesë në oborrin e shtëpisë.

Ndërkohë kamerat e sigurisë kanë filmuar dy persona që largohen nga vendngjarja, por identiteti i tyre nuk është zbuluar ende pasi në fytyrë mbanin helmetë.

Në listën e elementëve që do të vlerësohen, është edhe fakti se furgoni në të cilin udhëtonte viktima ishte i regjistruar në emër të një kushëriri të bashkëshortes së tij, pronar i një kompanie të sistemeve elektrike në Vicopisano.

Dhe është pikërisht ambienti familjar ku po heton policia.

Ndonëse, për momentin, në kërkim të motivit dhe vrasësve duket se nuk ka dalë asnjë element i dobishëm për të zbuluar pse Beni Arshiaj u ekzekutua në momentin që do të dilte nga furgoni për të hyrë në shtëpinë ku e prisnin bashkëshortja Ina dhe dy fëmijët e vegjël.

Ndërkohë po hetohet gjithashtu nëse ka qenë i përfshirë në trafikun e drogës apo prostitucionit, si edhe gjakmarrja, por nuk ka rezultuar që ndonjë nga familjarët e tij të ketë kryer vrasje.

Policia po heton gjithashtu të shkuarën e personave që kanë qenë pranë 37-vjeçarit.

Hulumtime shkencore do të kryhen në skuterin e gjetur të djegur në një fushë në zonën industriale të Ospedaletto-s, rreth dy kilometra larg vendit të krimit, në përpjekje për të gjetur ndonjë gjurmë.

Policia mjeko-ligjore do të kontrollojë skuterin për mbetje baruti.

Në ditët në vijim do të kryhen hetime edhe në qelizat telefonike (dy personat e filmuara nga kamera shihen duke përdorur celularë), gjithashtu edhe në celularin e viktimës për të gjetur pista të dobishme.