Dosja e “21 Janarit” vazhdon të marrë vëmendjen. Ditën e sotme gazetari i njohur, Artan Hoxha është thirrur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me dosjen.

Hoxha pritet të japë sqarime rreth materialit audio që përmban komunikimet e punonjësve të Gardës së Republikës, para dhe pas protestës së famshme të 21 janarit.

Ndërkohë gazetari do të dorëzojë edhe një kasetë ku dëgjohen të gjitha urdhrat e zinxhirit komandues të Gardës për të qëlluar mbi protestuesit e 21 janarit.

Vjen të theksohet se SPAK ka nisur prej kohës hetimet për 21 janarin pas vendimit të Gjykatës së Lartë që i kërkoi të rihapë çështjen. Prokuroria e Posaçme po merret në detaje për të sqaruar arsyet dhe rrethanat të cilat çuan në vrasjen e 4 protestuesve gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë.

SPAK ka thirruar dëshmitarë, të cilët janë ish-deputetë, analistë dhe ish-punonjës të Gardës për të dhënë dëshminë e tyre për këtë ngjarje. Hetimet do të vazhdojnë për të çuar deri në fund zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.