Komisioneri për Zgjerim i BE-së viziton Tiranën, fokusi tek çelja e negociatave

Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, do të vizitojë sot kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Sipas agjendës së publikuar, ai do të takohet me gjithë krerët e vendit, duke filluar me kryeministrin Edi Rama në orën 10:00, e duke vijuar më pas në orën 12:45 me Presidentin e Republikës, z.Ilir Meta.

Në orën 15:00, Komisioneri për Zgjerim Varhelyi pritet të bëjë një vizitë edhe në ambientet e Kuvendit, ndërsa takimi me opozitën është parashikuar që të zhvillohet në orën 16:00.

Kjo vizitë e Komisionerit për Zgjerim në Tiranë vjen një ditë pas qëndrimit në Maqedoninë e Veriut, ku pjesë e agjendës së tij ishte integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe të Bashkimit Europian.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë hedhur vështrimin në drejtim të Bashkimit Europian, ndërsa presin nga unioni hapjen e negociatave. Dy vendet e Ballkanit Perëndimor morën përgjigje refuzuese nga Bashkimi Europian në tetor të vitit të kaluar dhe kjo solli një pakënaqësi të madhe popullore.

Në argumentet e tij, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron theksoi se BE-ja ka nevojë për reformim të brendshëm para se të zbatojë planin e zgjerimit.

Ndërkohë analistët dhe njohësit e politikave ndërkombëtare shprehen se ka një lëshim nga Franca, e cila sipas tyre, duket më “toleruese” për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kjo të paktën nga deklaratat e fundit të presidentit francez./Burimi: Euronews.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *