Kryeministri Edi Rama prezantoi sot skemën e re të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore në Korçë.

“Një skemë pensionesh e ndërtuar keq, është kostoja e një brezi të tërë. Një brez i tërë digjet nga kjo”, u shpreh fillimisht kreu i qeverisë.

Më tej, ai përsëriti se asnjëherë nuk është premtuar rritja e pensioneve, por po punohet vazhdimisht për krijimin e mundësive. Sipas kryeministrit, në kohën kur kjo qeveri ka ardhur në pushtet, situata me pensionet ishte skandaloze.

“Ajo skemë që trashëguam ishte skemë skandaloze dhe vetëm për të shtyrë të sotmen, pa menduar asnjë moment për të nesërmen e pensionistëve. Ju e mbani mend që kur morëm detyrën, situata ishte pa asnjë shpresë. Ishte vendosur një tavan, 24 mijë lekë dhe pavarësisht se çfarë kontributesh kishin dhënë njerëzit, nuk merrnin dot më shumë se aq, në vitin 2013. Pensioni mesatar ishte 105 euro, pa folur pastaj për minimalin.”

Rama shtoi se falë reformës në këtë sektor, u zhbë tavani i dikurshëm që linte dhjetëra mijëra pensionistë pa marrë atë që u takonte.

“Sot kemi një numër pensionistësh që marrin edhe 300 mijë lekë, 350, 400 mijë lekë pension. Nga ana tjetër kemi një pasqyrë diferencimi midis mësuesve që kanë dalë në pension para 2014-ës dhe ata që kanë dalë pas 2014-ës. Këta të fundit kanë pension më të lartë.”