Sport -

Historia e rrallë e Arbiona Bajraktarit/ 2 vjeçe e menduan të vdekur në Morinë, sot është ylli i Vllaznisë dhe kombëtares

Goli i shënuar nga Arbiona Bajraktari në minutën e 122-të, i dha mundësinë Vllaznisë të shkonte drejt 11-metërshave dhe më pas drejt kualifikimit për në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës.

Ai moment, do të mbetet gjatë në mendjen e të gjithëve, nga mënyra e realizimit. Kemi të bëjmë me një mbrojtëse e cila u tregua shumë e qetë dhe e sigurtë duke e stopuar topin dhe duke e gjuajtur me saktësi drejt portës.

Por Arbiona ka një histori mjaft interesante dhe të rrallë, te cilen po ua sjell “Shkodra Sport” e cila e bën atë edhe më të veçantë. Ylli i sotëm i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare, 21 vjet më parë është menduar e ndarë nga jeta. Atëherë kur ajo ishte ende foshnjë

E datëlindjes 10 shtator 1996, në periudhën e eksodit të kosovarëve, Arbiona ka qenë vetëm 2 vjeç e gjysëm. Dhe kur kanë mbërritur në Morinë të Kukësit, të gjithë familjarët e saj e kanë menduar të v.dekur.

Historinë na e tregon për “Shkodra Sport” babai i saj Sejdi Bajraktari, i cili ndoshta edhe për shkak të kësaj historie, është shumë i lidhur me vajzën e tij dhe e ndjek kudo ku ajo luan.

Viti 1999

Ka qenë marsi i këtij viti, kur popullsia kosovare u dëbua nga vendi i tyre dhe shumica mori rrugën drejt Shqipërisë.

Babai i Arbionës, xhaxhallarët dhe të gjithë meshkujt ishin në mal duke luftuar, ndërkohë që gjyshi i saj, ka marrë të gjithë pjestarët e tjerë të familjes Bajraktari, plot 27, gra e fëmijë dhe hipur mbi një traktor, janë nisur nga Suhareka drejt Shqipërisë.

Rrugës ka patur jo pak pengesa. Një natë i kanë lënë në ambjentet e policisë së Prizrenit dhe po ashtu edhe karvani i gjatë i njerëzve dhe mjeteve në doganën e Morinës në Kukës, ka bërë që rradha e tyre të ishte e madhe dhe për rrjedhojë, pjestarët e familjes Bajraktari kanë qëndruar katër ditë dhe katër netë pa ngrënë dhe pa pirë, hipur në rimorkion e traktorit, raporton shkodrasport.com.

Një situatë e tillë ka bërë që vajza e vogël, Arbiona, vetëm 2 vjeç e gjysëm në atë periudhë, të kalonte një gjendje të rëndë dhe të gjithë menduan se ajo ndërroi jetë. Këtë na e shpjegon i ati, Sejdia që për “Shkodra Sport” do të shprehej:

“Gjatë luftës, familjarët e mi kanë ikur nga shtëpia dhe kanë marrë rrugën për në Shqipëri. Kanë bërë 4 ditë dhe 4 netë me dalë në Kukës dhe nga uria, Arbiona e ka humbur vetëdijen.

Gjendja e saj ka qenë shumë e rëndë- shpjegon babai i saj Sejdia, dhe të gjithë pjestarët e familjes kanë menduar se ajo mbaroi. Thjesht kanë menduar ta marrin si kufomë me vete dhe ta varrosnin ku të mundnin pastaj.

Por Zoti është i madh. Kur kanë kaluar në tokën shqiptare pjestarët e familjes time kanë takuar familjen e Asllan Kamberit dhe plaka e shpëtisë ka bërë mrekullinë e madhe.

Duke i mbyllur hundën dhe duke i dhënë kos me zor, ka arritur ta sjellë sërish në jetë. E ka ushqyer për dy javë me rradhë vetëm me kos dhe falë Zotit, gjithçka shkoi ashtu si duhet dhe gjendja e vajzës time u normalizua.

Arbiona është kjo që është sot falë gruas së Asllan Kamberit e cila e ka mbajtur në jetë dhe prandaj i jemi falenderues në maksimum. Me këtë familje i kemi ruajtur marëdhëniet dhe ne shkojmë shpesh në Kukës ashtu siç vijnë ata në Suharekë sepse nuk mund të harrojmë kurrsesi atë çfarë ata kanë bërë për vajzën dhe familjen tonë”

ARBIONA

Në lidhje me këtë ngjarje flet për “Shkodra Sport” edhe vetë Arbiona e cila kujton atë çfarë i kanë thënë familjarët e saj.

“Unë kam qenë në një moshë të vogël, vetëm 2 vjeçe e gjysëm, por ajo që më kanë thënë familjarët për ngjarjen time, kuptohet që më ka bërë të jem falenderuese ndaj asaj gruaje që më ka shpëtuar jetën dhe po ashtu edhe ndaj Shqipërisë që i hapi dyert kosovarëve.

Prandaj dhe unë sot po mundohem t’ia shpërblej Shqipërisë duke luajtur futboll dhe duke dhënë gjithmonë më të mirën për të, ashtu siç ka dhënë ajo më të mirën për mua, familjen time dhe për gjithë kosovarët”- thotë mbrojtësja e Vllaznisë dhe e kombëtares shqiptare Arbiona Bajraktari./ Gjergj KOLA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *