Drita Çomo, fati i trishtë i poetes që iku herët nga kjo botë.

Një natë shkurti të ftohtë të vitit 1981, në një nga dhomat e spitalit onkologjik të Tiranës, ndodhte një skenë e dhimbshme, tepër e njohur në këto mjedise: përbri shtratit të një vajze te re njëzetetrevjeçare, që ishte në grahmat e fundit të jetës, nëna e saj, e kërrusur nga brenga bënte të vetmen gjë që shumica e të afërmve e bëjnë ne kësi rastesh: i lagte buzët.

Skena ishte diçka e përsëritur qindra herë në këtë ndërtesë të trishtë. E veçantë ishte se te dera e dhomës së vajzës që po jepte shpirt, nënën e mjeruar e prisnin në këmbë dy oficerë të policisë së fshehtë shqiptare.

Ata nuk e fshihnin padurimin, madje njëri prej tyre i tha gruas të shpejtonte. Gruaja kërkoi të rrinte dhe pak, por shoqëruesit, fare shpërfillës, e urdhëruan haptas të ngrihej. Te dera ajo bëri përpjekjen e fundit: “Unë njoh Nexhmije Hoxhën. Më lejoni t’i telefonoj. Ajo është nënë dhe do më kuptojë”.

Rojet qeshën me zë të lartë: “Si shumë e lart e vrake. Dashke të shqetësosh edhe shoqen Nexhmije. Nuk thua faleminderit që të lamë dhe kaq”.
Gruaja uli kryet dhe doli.

Vajza që jepte shpirt në spitalin onkologjik ishte Drita Çomo, një nga letraret më interesante të brezit të vet, por në atë kohë krejt e panjohur, për arsyen e thjeshte se të atin e kishte në burg dhe nënën ne internim, (nëna Liri Belishova, ish-anëtare e Byrosë politike, kurse babai Maqo Çomo, ish-ministër).

Libri: “Dritë që vjen nga humnera”, doli në dritë 16 vjet pas vdekjes së Dritës dhe bën pjesë në ripërtëritjen e ëndrrës me te vjetër të njerëzimit: rikthimit prej territ dhe asgjësë.

Parathënien e këtij libri e ka shkruar shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare dhe një fragment të shkëputur mund ta lexoni më poshtë:

Drita Çomo u lind më 19 mars 1958 në Tiranë. Prinderit e saj u akuzuan per spiunazh ndaj Partise se Punes per BRSS. Nëna e saj, Liri Belishova një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste u internua në Kuç afer Vlores. Më pastaj uu internua serish ne Progonat dhe ne fund ne Cërrik. E gjhitha kjo bashke me Driten e cila ishte vetem 2 vjeçare. Babai Maqo Çomo udhëheqës partizan e më vonë ministër i Bujqësisë, u burgos me 30 vite burg. Ne Cerrik Drita mbaroi shkollën e mesme. Por për shkak të kancerit progresiv ajo nuk e dha provimin e maturës. Në moshën 23 vjeçare ajo vdiq në një spital në Tiranë.

Në vitet e fundit të jetës së saj ajo mbante një ditar, i cili ishte një procesverbal i ngjarjeve që kishin të bënin me qëndrimin në një vend të izolimit. Ajo la gjithashtu dhjetëra poema, të shkruara në vitet 1975-1981, të cilat janë një histori vuajtjesh, dhimbjesh dhe magjepsjesh nga rinia. Një koleksion i veprave të saj u shfaq në Tiranë, në njëzet vjetorin e vdekjes së saj.

“(Fragment nga parathënia e librit të Drita Çomos “Dritë që vjen nga humnera”)
shkruar nga Ismail Kadare)

Në vazhdim mund ta lexoni edhe poezinë e Drita Çomos të titulluar “Vetmia” të cilën e shkroi në mars të vitit 1979.
Vetmia është zilja e telefonit
Dhe një zë i huaj që kërkon dikë tjetër
Vetmia është e diela e zbrazët
Me biseda boshe dhe pa diell.

Vetmia është të shikosh pas xhamit
Njerëz që nxitojnë në mbrëmje
Mërzia e gjatë para gjumit
Dhe vapa në netët pa hënë.

Vetmia është të duash shumë
Dhe të mos kesh çfarë të duash
Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule
Dy fjalë të mira të mos kesh kujt t’ia thuash.

Të jesh kudo, i tepërt, i huaj
Mik i paftuar në botë, hije
Pa një kujtim që të të bëjë të vuash
Pa një shpresë për atë që do të vijë.

Po ankthi i ditëve të mia pa ty
Ankthi im i përhershëm
Për të gjitha ato që i di dhe s’i di
Kjo është diçka tjetër.

Minutat që ikin ngadalë-ngadalë
Rënduar nga ajo që quhet pritje
Rënduar nga ai që quhet mall
Dhe që nuk llogaritet…

E përgatiti: A. S.- ObserverKult