Gjykata e Tiranës ka nxjerrë nga qelia Mariela Berishën, autoren e sulmit brutal ndaj blogeres 24-vjeçare Klea Prenga, dhe i ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë për Mariela Berishën për shkak të faktit që ajo ka një fëmijë të vogël që ka nevojë për përkujdesje, ndërsa Antonela Berisha, e cila gjithashtu ishte përfshirë në sulm, është lënë në “detyrim paraqitjeje”.

Ngjarja e rëndë ndodhi në muajin gusht në një restorant në Tiranë ku motrat u afruan te tavolina e 24-vjeçares dhe njëra prej tyre i gjuajti me një gotë qelqi në fytyrë. Pas ndërhyrjes së stafit dhe klientëve, ato u larguan nga vendngjarja me dy automjete.

Klea Prenga, pas ngjarjes, publikoi dëmtimet që kishte pësuar dhe akuzoi motrat se synonin të shkatërronin imazhin e saj. Ajo gjithashtu mori mesazhe kërcënues nga to pas incidentit. Seanca pritet të sjellë më shumë detaje rreth kësaj ngjarjeje të rëndë.