Çavuşoğlu: Nuk duam që Shqipëria të jetë ‘port i sigurt’ për pjesëtarët e FETO-s

"Ka qindra anëtarë të FETO-s dhe ne kemi kërkuar ekstradimin e tyre. Së fundi janë bërë hapa pozitivë. Jemi falënderues, por presim vazhdimin e tyre", tha ministri i Jashtëm turk

Tiranë
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka deklaruar se Turqia nuk dëshiron që Shqipëria të jetë strehë e pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu, i cili gjendet për vizitë zyrtare në Shqipëri, në një konferencë të përbashkët me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, tha se së fundi janë bërë hapa pozitivë lidhur me organizatën terroriste FETO, por shtoi se Ankaraja pret nga Tirana vazhdimin e këtyre hapave.

“Aktualisht nuk e di se sa pjesëtarë të FETO-s janë, nuk kemi shifër të saktë, por ka qindra anëtarë të FETO-s dhe ne kemi kërkuar ekstradimin e tyre. Së fundi janë bërë hapa pozitive. Jemi falënderues, por presim vazhdimin e tyre”, tha Çavuşoğlu.

“Ne nuk duam që Shqipëria të bëhet port i sigurt për pjesëtarët e FETO-s. Ne shohim se personat që tentuan të kryejnë grusht shteti në Turqi përpiqen të strehohen në Shqipëri dhe vende të tjera. Prania e tyre paraqet rrezik për të ardhmen, sigurinë dhe stabilitetin e Shqipërisë. Natyrisht, pas (formimit të) një strukturimi të tillë, ne e dimë se Shqipëria nuk e ka lehtë. Megjithatë, ne duhet t’i hedhim këto hapa për të ardhmen tonë”, theksoi kryediplomati turk Çavuşoğlu.

Kujtojmë se organizata terroriste FETO qëndron prapa tentativës për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016 në Turqi, nga e cila jetën humbën 251 qytetarë dhe rreth 2.200 të tjerë u plagosën.

Mes Turqisë dhe Shqipërisë nënshkruhen disa marrëveshje

Pas takimit në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, mes palëve u nënshkruan tre dokumente.

Ndërmjet dy ministrive është nënshkruar deklarata e përbashkët për rritjen e përpjekjeve e bashkërendimin e qëndrimeve në kuadër të organizatave ndërkombëtare në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Turqia dhe Shqipëria kanë nënshkruar edhe marrëveshjen për “Njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e lejeve të drejtimit (patentave të shoferëve)”, e cila ka si qëllim të lehtësojë lëvizjen dhe do të eliminojë barrierat administrative dhe burokratike për përdorimin e lejeve të drejtimit mes dy vendeve.

Gjithashtu është nënshkruar edhe memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet akademive diplomatike të ministrive të jashtme të të dy vendeve për shkëmbimin e diplomatëve, që synon të shërbejë në rritjen e kapaciteteve profesionale dhe shtimin e mundësive të këmbimit të përvojave mes dy vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *