Këtë të mërkurë, në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë, u zhvillua një tryezë diskutimi për dhunën ndaj grave në hapësirën dixhitale, ku e ftuar ishte edhe zv/kryeministrja Belinda Balluku.

Ajo u shpreh se secila prej të ftuarave në tryezën e diskutimit, janë viktimë e ndasisë gjinore qoftë në hapësirën dixhitale, por edhe në jetën reale.

Ajo u ndal edhe tek deklarata e një dite më parë të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili u shpreh se mezi qëndron në parlament “nga gërshetimi i aromave të parfumeve më të kushtueshme”.

Balluku tha se deputetet nuk kanë hyrë në parlament për erën e parfumeve dhe nuk beson se ka njeri aftësi nuhatjeje për të ndarë se sa të shtrenjta janë ato që përdorin, çmimet e të cilave sipas zv/kryeministres variojnë nga më minimalet.

“Sot shikoja lajmet dhe pavarësisht se unë dje dhe koleget e mia kemi qenë në seancën parlamentare na merr dhe ne ajo rutina dhe ca gjëra i dëgjojmë, ca nuk i dëgjojmë. Po dëgjoja prononcime e copëza të ndryshme të mediave.

Dëgjoja kolegët tanë deputetë, nuk po i ndaj majtas apo djathtas, se ka pak rëndësi sot këtu jemi të gjithë bashkë tek flisnin që ajo sallë ka erë parfumesh të shtrenjta. Se zakonisht gratë janë ato që mbajnë parfume apo akuzohen për parfume.

Unë nuk e di që në sallën parlamentare ne kemi hyrë që të na mbajnë erë parfumet të cilat kushtojnë nga 100 Lekë edhe shumë më shumë, por nuk e di kush i ka këto aftësi nuhatjeje për t’i ndarë se sa të shtrenjta janë dhe pastaj e thënë nga ai që po e thoshte nuk besoj që e ka këtë nuhatje në këtë moshë”, tha Balluku.

Po ashtu, u ndal edhe tek kolegët e tjerë deputetë që kanë treguar gratë në parlament nga pamja e tyre.

Sipas Ballukut, pamja e deputeteve në parlament nuk ka rëndësi, por roli i tyre. Këtu u ndal edhe te detyra e saj si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke veshur çizmet e duke u futur nëpër kantiere, për të bërë, sipas saj, një punë burrash.

“Ose dje kam dëgjuar një tjetër përfaqësues të politikës që tregonte se si ka ndryshuar disa prej grave të parlamentit në pamjen e tyre. Nuk e di se çfarë rëndësie ka pamja në rolet që kemi në parlament. Nuk e di sa e rëndësishme është pamja e një drejtuesi komisioni? Nuk e di sa e rëndësishme është pamja ime sepse unë vesh çizmet dhe i futem baltës nëpër kantiere dhe bëj punë burrash. Supozohet se është punë burrash se ne këtu kemi profesoreshën që vjen nga një fushë e supozuar burrash, inxhinieria e ndërtimit”, tha Balluku.