Arlind Bushati dhe Bashkim Basha ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Shkodrës.

Arlind Bushati mbeti i plagosur me armë zjarri teksa ndodhej në makinë me Hamza Licin. Kur ky i fundit u qëllua nga breshëria e plumbave humbi kontrollin e makinës dhe përplasi motorin ku udhëtonte çifti Basha. Gruaja mbeti e vdekur në vendngjarjes, ndërsa bashkëshorti i saj u plagos rëndë.

18:11, 30 Tetor 2024

18:09, 30 Tetor 2024

Kush është Arlind Bushati, 32-vjeçari që udhëtonte me Hamza Licin
Arlind Bushati, 32-vjeçari i cili mbeti i plagosur në atentatin e kësaj të mërkure në Shkodër, është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati të PD për Bashkinë e Shkodrës 2 vjet më parë.

32-vjeçari, në fillim të këtij muaji denoncoi në polici se dy persona që lëviznin me motor i kishin drejtuar armën teksa ndodhej në pedonalen e Shkodrës…Lexo më shumë

Ndërsa në Mars të 2022, godinës ku familja Bushati jetonte dhe kishte edhe biznes iu vendos tritol. Nga ngjarja nuk pati të lënduar, por vetëm dëme të shumta materiale. Në atë kohë, vetë Xhemal Bushati për policinë mohoi të kishte konflikte..Lexo më shumë

18:06, 30 Tetor 2024

18:05, 30 Tetor 2024

I vrarë në atentatin e Shkodrës Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit
Hamza Lici mbeti i vrarë nga breshëria e plumbave. Ai është vëllai i Ibrahim Licit, një personazh tejet i njohur dhe i akuzuar nga drejtësia shqiptare për disa ngjarje të rënda kriminale. Ibrahim Lici dyshohet se është autor i vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër dhe ka qenë një nga 5 personat më të kërkuar nga policia në Shqipëri.

Në Shkurt të këtij viti, pikërisht Hamza Lici reagoi për mediat për arrestimin e vëllait të tij në Turqi…Lexo më shumë

Në atë kohë ai mohoi që kjo të ishte e vërtetë e pretendoi se Ibrahim Lici ishte vetëdorëzuar me qëllim për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndjehet i sigurtë në Shqipëri. Hamzai theksonte se vëllai i tij ishte i pafajshëm, qëndrim në fakt që ka mbajtur në disa dalje publike edhe babai i tyre Mustafa Lici, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës.

18:01, 30 Tetor 2024

Në vendin dhe momentin e gabuar

Teksa flasim për pasojat e këtij atentati, Bashkim e Flutura Basha janë krejtësisht të pafajshëm. Ata po udhëtonin me motor kur u përplasën nga makina ku udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Për pasojë, Flutura Basha pati dëmtime të mëdha dhe humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes. I plagosur rëndë ka mbetur burri i saj, Bashkimi që po lufton për jetën në spital… Lexo më shumë

17:54, 30 Tetor 2024

Më sipër mund të ndiqni pamjet pa koment nga vendi i ngjarjes të siguruara nga Klan News.

Çfarë vemë re:

Në trotuar ka mbetur një trup i pajetë.
Makina ku udhëtonin Lici dhe Bushati ka përfunduar pas një muri.
Asfalti është mbushur me mbetjet e motorit të shkatërruar.
Perimetri që po vendos policia është shumë i gjatë, çka tregon për një dinamikë në lëvizje të atentatit.
17:47, 30 Tetor 2024

Si ndodhi krimi
Po flasim për një ngjarje shumë të rëndë. Policia e Shkodrës ka konfirmuar se dy persona kanë mbetur të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur.

Dinamika e ngjarjes është e tillë:

Hamza Lici dhe Arlind Bushati po lëviznin me një makinë tip “Benz”. Në orën 15:50 ata u qëlluan me breshëri arme. Për pasojë Lici ndërroi jetë ndërsa Bushati u plagos rëndë.

Pas të shtënave makina e tyre ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një motor. Aty udhëtonin krejt rastësisht bashkëshortët Bashkim dhe Flutura Basha. Si pasojë e ngjarjes humbi jetën gruaja, ndërsa burri ndodhet në spital në gjendje të rëndë… Lexo më shumë

17:44, 30 Tetor 2024

Atentati në Shkodër, çfarë dihet deri më tani (Të gjitha detajet)
2 të vrarë dhe 2 të plagosur është bilanci tragjik i një atentati më armë zjarri të ndodhur këtë të mërkurë në Shkodër. Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç.