Administrata Tatimore e Kosovës mbledh mbi 500 milionë euro për vitin 2019

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, i cili prezantoi raportin vjetor të punës, tha se të hyrat në ATK për herë të parë në historinë e saj kanë kaluar mbi gjysmë miliard euro

Prishtinë
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka arritur të mbledhë 504,5 milionë euro në vitin 2019, apo rreth 50 milion euro më shumë krahasuar me vitin 2018, u bë e ditur sot në një konferencë për media nga përfaqësuesit e këtij institucioni, raporton AA.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, i cili prezantoi raportin vjetor të punës, tha se të hyrat në ATK për herë të parë në historinë e saj kanë kaluar mbi gjysmë miliard euro. Në vitin 2018, ai tha se ato kanë qenë 456.7 milionë euro, ndërsa në vitin 2019 ato janë rritur në 504,5 milionë euro, për 10,4 për qind më shumë.

Rritje ka shënuar edhe vlera e kontributeve pensionale, ku nga 163 milionë euro sa ka qenë në vitin 2018, ka arritur në 188 milionë në vitin 2019.

Murtezaj tha se 108 milionë euro ishin mbledhur nga borxhi i mëparshëm dhe se tatimpaguesit ende i detyrohen 354,3 milionë euro ATK-së. Ai shtoi se është arritur një marrëveshje me Telekomin e Kosovës, i cili është një nga debitorët më të mëdhenj, për t’i paguar këstet.

“Vitin e kaluar janë ndërmarrë 176 aktivitete për shmangie tatimore, 37 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore, ndërsa 5,3 milionë euro është vlera e shmangies tatimore”, tha ai.

Murtezaj theksoi se nga gjobat e shqiptuara nga ATK kanë arritur t’i mbledhin 4,7 milionë euro për vitin 2019, që janë më shumë se 1 milion euro më shumë se në vitin paraprak.

Në 579 raste ka pasur konfiskim të pronës, që gjithashtu përbën shifër më të madhe krahasuar me vitin 2018 kur u konfiskua prona në 74 raste.

Ai gjithashtu deklaroi se një nga sektorët më të rëndësishëm të tatimpaguesve është sektori i ndërtimtarisë, me mbi 6.000 tatimpagues aktivë në vitin 2018.

Sipas Murtezajt, plani i reformës afatmesme për 2019-2021 në ATK parashikon përmirësimin e performancës së administrimit të borxhit tatimor, centralizimin e punës për të rritur efikasitetin në punë, specializimin e stafit në mbledhjen e borxheve dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *