Ataku kardiak është një prej shkaktarëve kryesorë të vdekshmërisë në vende të ndryshme. Kjo sëmundje ka përparuar ndjeshëm vitet e fundit duke ngritur alarmin në shumicën e shoqërive moderne. Jo më pak i rrezikuar mbetet edhe vendi ynë, ku dhjetëvjeçarin e fundit janë shumëfishuar rastet e prekjes nga ataku kardiak, ku krahas meshkujve një targetgrup shumë i rrezikuar janë femrat. Në këtë artikull do të njiheni me 4 simptomat e atakut kardiak që asnjë femër nuk duhet të injorojë në të përditshmen e saj :

1.Dhimbje në shpinë, qafë, nofulla dhe në krahë: Në përgjithësi simptomat e para të atakut kardiak janë shtrëngimet në kraharor ose në krahun e majtë, por jo më pak të rëndësishme janë dhimbjet në shpinë, nofulla dhe qafë. Dhimbja mund t’ju shfaqet papritur dhe bëhet gjithmonë e më e fortë. Në qoftë se zgjoheni në mes të natës me dhimbje të tilla është mirë të lajmëroni menjëherë mjekun ose të paraqiteni në spital.

2.Dhimbje e fortë në stomak: Dhimbja therëse në zonën abdominale, përreth stomakut, nuk është vetëm simptomë e helmimit apo ndonjë ftohjeje të mundshme. Kur dhimbja bëhët më e fortë se zakonisht, aq sa ju duket sikur ju lë pa frymë, duhet të tregoheni të kujdesshme dhe të mos e neglizhoni pasi mund të jeni duke kaluar një goditje në zemër.

3.Gulçim gjatë frymëmarrjes dhe marramendje: Marramendja, e shoqëruar me vështirësi në frymëmarrje të cilat ngjasojnë me gulçimin pas një maratone, janë një tjetër simptomë e atakut kardiak që nuk duhet injoruar.

4.Shtrëngim në kraharor: Në qoftë se ndjeni shtrëngim në krahahor, therje të bezdisshme në gjoks apo rritje të temperaturës trupore që ngjan me djegien duhet të ndërhyni menjëherë pasi mund të pësoni atak kardiak.