Motori i një avioni rus me 95 persona në bord mori flakë gjatë uljes në aeroportin e Antalias në Turqi.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria turke e Transportit, duke saktësuar se të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi janë evakuuar në mënyrë të sigurt dhe nuk raportohet për të lënduar.

Avioni, tip Sukhoi Superjet 100 i operuar nga Azimuth Airlines, ishte nisur nga Socci dhe mbante 89 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit.

Piloti bëri një thirrje urgjence pasi u ul në orën 21:34 me orën lokale të së dielës dhe ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësve të aeroportit shuan me shpejtësi zjarrin.

Azimuth Airlines tha se avioni kishte bërë një ulje të ashpër për shkak të erës së fortë.

Shkaku i zjarrit nuk është bërë i ditur, ndërkohë që hetimet janë në vijim.